Explore
Also Available in:

Metamorfoza e pashpjegueshme e insekteve

nga Daniel Devine

Fotografi nga Stephen Atkins Butterfly

Darvinistët të cilët dëshirojnë të parashtrojnë një argument të fortë për evolucionin u shmangen rregullisht temave të caktuara biologjike – kryesisht sepse këto tema hedhin poshtë të gjitha shpjegimet gradualiste. Njëra është metoda unike dhe e ndërlikuar nëpërmjet së cilës rriten insektet.

Metamorfoza (nga fjalët greke që do të thonë ‘ndryshimi i formës’) përshkruan se si shumica e insekteve ndryshojnë nga të vegjël në të rritur, duke zhvilluar shpeshherë në pjekuri struktura trupore dhe mënyra jetimi krejt ndryshe nga ato të rinisë. Ndërkohë që i vogli i një specieje të caktuar mund të duket si krimb toke i zbukuruar, i rrituri mund të ketë pendë 5-cm-she dhe të mos ketë nofull në funksionim. Le të shqyrtojmë jetën e një mole.

Metamorfoza e molës

Në mënyrë që një vemje e vockël dhe e sapoçelur të rritet në një molë ose flutur të shkëlqyeshme, ajo duhet së pari të majmet – së tepërmi. Në fakt, vemja duket sikur ka vetëm dy preokupime në jetë: të hajë dhe të ndërrojë lëkurën.

Ndonëse gjitarët, peshqit, zogjtë dhe zvarranikët kanë skelete që mbështesin trupat e tyre, artropodët – duke përfshirë insektet – nuk i kanë. Në vend të skeleteve, Perëndia i pajisi me një lëkurë ose guackë të fortë të quajtur eksoskelet. Eksoskeleti i vemjes vërtet duket i butë, por i jep vemjes tërë formën që ka (duke përfshirë disaherë thumba ose brirë të mishtë). Mirëpo ai mbetet mjaft i epur sa të lejojë shtrirjet gjimnastike drejt gjetheve më të larta. Për më tepër, eksoskeleti nuk rritet; një eksoskelet më i madh formohet i palosur nën më të voglin.

Kur të vijë koha e duhur, lëkura e vjetër dhe e tendosur çahet dhe vemja del me kujdes duke u përpëlitur, gati për të vënë në provë jashtësinë e saj të re. Pas çdo ndërrimi të tillë, vemja mbetet më e madhe dhe mund të ketë trajtë ose ngjyrë paksa të ndryshuar.1

Butterfly
Fotografi stock.xchng

Ndërkohë, thellë brenda trupit të vemjes janë grupe qelizash – disqet e pjekurisë. Këto pozicionohen që të rriten në pendë, këmbë të nyjëzuara, dhe sy të përbërë. Pasi vemja të ketë lëshuar eksoskeletin për herën e fundit që të arrijë në madhësinë maksimale, ajo përgatitet të bëhet pupë duke thurur një nimfë, duke bërë strofull nën tokë, ose në rastin e shumicës së fluturave, duke formuar një krisalidë.

Ndërkohë që rri pa lëvizur, hormone nga truri i vemjes i bëjnë sinjale trupit të zhvillohet në stadin e rritur.2 Këto bëjnë që disqet e pjekurisë të hidhen në veprim, duke formuar antena, pendë me luspa, organe riprodhuese dhe çdo pjesë tjetër të trupit që i duhet të rriturit.

Madje edhe sistemi muskuloz duhet të riorganizohet për t’iu hapur pendëve. Disa muskuj shkatërrohen, disa ‘rindërtohen’, dhe të tjerë formohen krejt të rinj.3 Kur del mola ose flutura e rritur, nuk duket aspak si vemja e përpëlitur që ishte dikur.

“E plota” kundrejt “jo të plotës”

Lloji i metamorfozës i përshkruar më lart, të cilin përjetojnë insekte të tilla si molat, fluturat, bletët, mizat dhe milingonat, njihet si metamorfozë ‘e plotë’ dhe përfshin katër stade: veza (1), larva (2), pupa (3) dhe i rrituri (4). Në rastin e një mole, vemja është larvë, krisalida është pupë, dhe krijesa e ngjyrosur me pendë që mund të kapësh me rrjetë është e rritura.

Megjithatë, një lloj i dytë metamorfoze përdoret nga insekte të tilla si termitet, karkalecat, bulkthat, gjinkallat dhe morrat bimëngrënës. Kjo përfshin ndryshimin nga veza (1) në nimfë (2) në të rritur (3) – pra vetëm tri stade. Kjo metamorfozë ‘jo e plotë’ nuk e përfshin pupën. Nimfa duket thjesht si i rritur i vogël, dhe sa herë që ndërron lëkurën ajo bëhet gjithnjë e më e madhe, deri sa të arrijë formën e rritur me pendë dhe organe riprodhuese plotësisht të zhvilluara.

Secili stad i jetës së insektit është jetësor. Darvinistët përballen me probleme kolosale kur mundohen të shpjegojnë origjinën e metamorfozës sipas mutacioneve të rastësishme dhe seleksionimit natyror, sepse çdo boshllëk ose gabim në cikël zakonisht ose e vret insektin ose pengon riprodhimin. Nëse vemja nuk del dot nga eksoskeleti i saj i vjetër, ajo nuk është në gjendje të formojë një fshikëz ose krisalidë, ose nëse nuk arrin të riradhisë muskujt dhe të rrisë pjesë trupore si pupë, ajo ngordh. Nuk bëhet kurrë e rritur, kështu që as që nuk e riprodhon veten.

Ndryshime spektakolare

Teoria evolucionare dështon edhe kur përpiqet të japë ndonjë shpjegim të arsyeshëm për llojshmërinë e gjerë të rritjeve të insekteve. T’i zëmë sasitë e kohës të harxhuara nga specie të ndryshme për t’u zhvilluar. Nimfat e gjinkallave bëjnë strofka nën tokë dhe kalojnë deri 17 vjet duke u ushqyer me rrënjët e pemëve para se të dalin për të ndërruar lëkurën që të kalojnë në stadin e të rriturit. Disa larva mizash mund të kthehen në pupa një javë pasi çelen, dhe disa morra bimëngrënës çelen, ndërrojnë lëkurën, riprodhohen dhe ngordhin brenda pak më shumë se dhjetë ditësh.4

Larvat ujore të insekteve të tilla si mizat e majit dhe mushkonjat janë veçanërisht të bezdisshme për evolucionistët. Mizat e majit quhen gabimisht ‘insektet fluturuese më primitive’,5 por ato nuk janë aspak primitive. Përkundrazi, ato jetojnë dy-tre vjet nën ujë duke thithur ajrin me verza si peshqit, pastaj dalin në ajër si të rritura. Atëherë jetojnë vetëm një ditë për t’u mbledhur, për t’u ndërzier dhe për të shtruar vezë.

Edhe mushkonjat gjithashtu kalojnë stadet e tyre larvale dhe pupale nën ujë, para se të dalin si të rritura duke fluturuar andej-këtej, thithur gjak (të paktën kështu bëjnë mjaft femra), dhe riprodhuar. Femra e një specieje mole ujore kalon tërë jetën nën ujë, ndërkohë që mashkulli fluturon lirisht, dhe i kthehet ujit vetëm për t’u ndërzier.6 Insektet ujore janë thjesht tepër të llojllojshme për t’u parashikuar nga teoria evolucionare – kështu që darvinistët detyrohen të pranojnë që jetesa ujore ‘është zhvilluar nga specie krejt pa lidhje me njëra-tjetrën.’7

Metamorfoza sociale

Sikur e gjithë kjo të mos mjaftonte, nuk mund të harrojmë metamorfozën e insekteve sociale si milingonat. Larvat e milingonave nuk kanë këmbë dhe nuk janë në gjendje të gjejnë ushqim, të lëvizin ose të pastrojnë veten. Ato varen krejt nga përkujdesja 24-orëshe e milingonave të rritura punëtore, pa të cilat do të ngordhnin. Madje milingonat e reja kanë nevojë për të rriturat punëtore t’ua presin nimfat që të dalin në fund të stadit të pupës.8

Nëse milingonat nuk kishin mu që në fillim një shoqëri të ndërlikuar me marrëdhënie të ndërvarura, si mbijetonin larvat ‘e lashta’ të milingonave? Bibla na tregon të vetmen përgjigje të besueshme: Perëndia i krijoi që në fillim që të jenë sociale, ashtu siç i krijoi vemjet të ngopen duke ngrënë, nimfat e mizave të majit të notojnë, dhe molat të fluturojnë dhe të riprodhohen. Karakteristikat e stadeve të metamorfozës nuk evoluan rastësisht me kalimin e kohës. Që nga veza e deri tek i rrituri, insektet jetojnë e realizojnë planet unike për të cilat i projektoi Perëndia.

Stadet e fluturës Monark (Danaus plexippus)

Fotografi nga Bob Moul, <www.Pbase.com/rcm1840>.

Stages of Monarch butterfly
  1. Vemja Monark (larvë), duke u ushqyer me gjethet e rryellit. Larva çelet nga veza, dhe mbetet në këtë stad rreth dy javë, ndonëse kjo varet nga temperatura.
  2. Pupa Monark (Krisalidë)
    Atëherë vemjet i ngjiten kokëposhtë një degëze të përshtatshme. Ato ndërrojnë lëkurën e jashtme dhe krijojnë një guackë që të shndërrohen në pupë (krisalidë). Këtu ndodh transformimi nga më të mahnitshmet, ku shumica e indeve të vemjes shkrihen dhe riformohen si flutur – nën programin e saj gjenetik. Në fillim duket si një vazo e dylltë prej nefriti.
  3. Pupa Monark disa çaste para se të dalë flutura.
    Me ecjen përpara të metamorfozës, krisalida bëhet gjithnjë e më e tejdukshme, kështu që shihen ngjyrat e fluturës. Menjëherë pasi u nxor kjo fotografi, doli flutura.
  4. Monarku i sapodalë bashkë me guackën e krisalidës. Pas 9-15 ditësh, më në fund del flutura. Ajo fryn pendët duke u pompuar damarëve gjak nga një depozitë gjaku e ruajtur në bark (në të majtë më poshtë). Flutura pret deri sa t’i mpiksen e thahen pendët para se të ikë duke fluturuar për të nisur sërish ciklin e jetës.
  5. Monarku femër e rritur
    Damarë më të trashë dhe mungesa e nyjeve në damarët e pendëve të larta të prapme dallojnë Monarkun femër nga mashkulli.

A mund të shpjegojë evolucioni metamorfozën e plotë?

Në një numër të revistës Nature në vitin 1999, dy shkencëtarë (James Truman dhe Lynn Riddiford) paraqitën hipotezën e tyre se si evoluoi metamorfoza e plotë e insekteve. Në artikull autorët u përpoqën ta shpjegonin evolucionin e metamorfozës katërstadëshe nga ajo trestadëshe duke propozuar që kjo e fundit në fakt përmban katër stade.1 Këtë stad të katërt, të përkufizuar në mënyrë arbitrare, e quajtën ‘pronimfë’ dhe e përshkruan si periudhë kohe e cila i paraprin gjithmonë ndërrimit të parë të lëkurës, dhe e cila ka zgjatje të ndryshme midis specieve të ndryshme, në disa raste duke përfunduar sapo çelet insekti nga veza.2 Ata arsyetuan që kjo ‘pronimfë’ evoluoi në larvën që njohim sot.

Ta themi më thjesht, ndonjë insekt i lashtë u çel nga veza më shpejt se ç’duhej dhe filloi të endej qorrazi në kërkim të ushqimeve. Ai vazhdoi të evoluonte deri sa të mund të kalonte shumë javë në këtë formë të parakohshme si vemje, para se të pësonte metamorfozë në stadin e shumëvonuar të nimfës – i cili sipas autorëve ishte shkurtuar dhe kishte evoluar në pupën që njohim sot.

Një problem fatal i kësaj ideje është fakti që ‘pronimfa’ e nënzhvilluar, siç përshkruhet në Nature, nuk ngrënka! Do t’i duhej një aparat tretjeje plotësisht i formuar si dhe aftësia për të kafshuar, përtypur dhe gëlltitur nëse kishte për të mbijetuar dhe për t’u rritur në pjekuri. Truman dhe Riddiford arsyetuan që ‘pronimfa’ kapërceu këto vështirësi dhe evoluoi dalëngadalë deri sa të mund të hante, të lëvizte dhe (supozojmë) ta mbronte veten. Mbrojtja është shumë e rëndësishme në botën e ‘mbijetimit të më të aftëve’, dhe na merret mendja të imagjinojmë se si ‘pronimfa’ e parë e parakohshme ka qenë më e sigurt dhe më e favorizuar nga evolucioni sesa një nimfë normale plotësisht e zhvilluar!

Një shpjegim më i mirë thotë që metamorfoza katërstadëshe u krijua pavarësisht që të jetë plotësisht në funksionim.

Referenca

  1. Truman, J.W. and Riddiford, L.M., The origins of insect metamorphosis, Nature 401(6752):447–452, 30 shtator 1999.
  2. Ref. 1, fq. 448.

Referenca

  1. Goor, R. and N., Insect metamorphosis: from egg to adult, Atheneum, New York, fq. 6–8, 1990. Kthehuni në tekst.
  2. Wigglesworth, V.B., Insect hormones, Scientific Publications Department, Carolina Biological Supply Company, Oxford University Press, 1983. Kthehuni në tekst.
  3. Chapman, R.F., The insects: structure and function, The English Universities Press Ltd, London, fq. 410–415, 1969. Kthehuni në tekst.
  4. Farb, P., The insects, Life Nature Library, Time-Life Books, New York, fq. 61, 1962. Kthehuni në tekst.
  5. Burnie, D. and Wilson, D., Animal, Smithsonian Institution, Dorling Kindersley, New York, fq. 551, 2001. Kthehuni në tekst.
  6. Ref. 4, fq. 145. Kthehuni në tekst.
  7. Ref. 4, fq. 142.. Kthehuni në tekst.
  8. Doering, H. and McCormick, J.M., An ant is born, Sterling Publishing Co., Inc., New York, fq. 7–16, 1973. Kthehuni në tekst.