Explore
Also Available in:

Racizmi Evolucionar

nga Carl Wieland
përktheu Dan Baynes

Aborigines in chains

Dëshirës së mëkatshme për të dominuar, mëkëmbur, injoruar apo keqtrajtuar të tjerët për motivet tona të veçanta, kurrë nuk i është dashur ndonjë justifikim i madh. Sidoqoftë, Darvini i dha një shtysë shumë të fortë, gjë që është faktuar si nga shkrimtarët krijimbesues ashtu edhe nga ata evolucionarë. Një libër i pazakontë ndihmon në faktimin e lidhjeve midis mendimit evolucionar dhe shtimit të racizmit në historinë koloniale australiane.

Ky libër e ka titullin Vendësit në Australinë e Bardhë: Një Histori e Dokumentuar e Qëndrimeve që Ndikonin në Politikën Zyrtare dhe Vendësin Australian 1697–1973.1 Përveç disa komenteve të hyrjes/redaktimit, ai përbëhet kryesisht nga citime të konsiderueshme nga dokumente të llojllojshme siç janë transkriptimet parlamentare, procesverbalet gjyqësore, letrat drejtuar redaktorëve të gazetave, relacionet antropologjike, e kështu me radhë.

Rritja e brutalitetit

Me kalimin e kohës qëndrimet nuk ecën aspak përpara, përkundrazi konstatohet një ndryshim i qartë në drejtim të keq pas vitit 1859, me një rritje të theksuar zemërgurtësie, keqtrajtimi dhe brutaliteti ndaj vendësve që dilte sheshit në qëndrimet zyrtare. Siç shkruan redaktori i librit:

“Në vitin 1859 libri i Çarls Darvinit me titull Mbi Origjinën e Llojeve popullarizoi idenë e evolucionit biologjik (prandaj edhe social). Studiuesit filluan të diskutonin për qytetërimin si proces me një drejtim të vetëm ku racat janë në gjendje të ngjisin apo të zbresin në një shkallë të graduar. Evropiani ishte… “më i përshtaturi për të mbijetuar” … [Vendësi australian] ishte i paracaktuar të shuhej sipas një “ligji natyror”, ashtu si dodoja dhe dinozauri. Kjo teori, e mbështetur nga faktet në shesh [pra që vendësit po pakësoheshin, falë keqtrajtimit dhe sëmundjes—C.W.] vazhdoi të citohej deri në mes të shek. XX kur u vu re që raca me lëkurë të errët po shumohej. Deri në atë kohë kjo teori mund të shfrytëzohej për të justifikuar negjizhencën dhe vrasjen.”

Në transkriptimin e pyetjeve drejtuar një polici gjatë një Komisioni Mbretëror Hetues në 1861 (fq. 83), lexojmë rreth përdorimit të dhunës kundër vendësve fisnorë:

“Po sikur të mos i dënonim të zinjtë ata do ta cilësonin si një rrëfim dobësie?”
“Po, pikërisht ky është mendimi im.”
“Është pra çështje se cila është raca më e fortë—se po t’u nënshtroheshim ata do të na përçmonin për këtë?”
“Po….”

Influenca e mendimit evolucionar shihet edhe në transkriptim në fq. 100. Shkrimtari, i cili është edhe autor i një libri të botuar në 1888, po justifikon vrasjen e vendësve në Shtetin Victoria. Ai shkruan:

“Sa për etikën e çështjes, nuk mund të nxirret asnjë përfundim i prerë.”

Ai thotë që kjo ndodh sepse është

“çështje temperamentesh; për njerëzit sentimentalë është padyshim një paudhësi; për njerëzit praktikë ajo përben një hap të posaçëm në progresin e njeriut, gjë që nënkupton sakrifikimin e disa mijërave të një race inferiore…. Por në fakt njerëzimi, si racë, nuk mund të zgjedhë të veprojë thjesht si qenie morale. Ato qeverisen nga ligje shtazore të cilat i shtyjnë përpara verbërisht në shtigje që zor se mund t’i zgjedhin vetë.”

Me fjalë të tjera, ai përligj “paudhësinë” (një fjalë tjetër për mëkatin) duke iu drejtuar ‘ligjeve shtazore’ të përleshjes evolucionare për mbijetesën. Kundërshtarët mund të flaken anash si “sentimentalë”—pra që nuk i kuptojnë të tilla “ligje natyrore”.

Në fq. 96, dikush i cili shkruan po në një gazetë të vitit 1880 tha:

“Asgjë që ne mund të bëjmë do të ndryshojë ato ligje të pahulumtueshme e madje të pandryshueshme të cilat drejtojnë progresin tonë në rruzullin e Tokës. Sipas këtyre ligjeve racat vendëse të Australisë ishin të paracaktuar të zhdukeshin me ardhjen e njeriut të bardhë, dhe e vetmja gjë që na mbetet për të bërë është t’i ndihmojmë ligjet që të realizohen [d.m.th. t’i ndihmojmë “ligjet” e evolucionit duke përshpejtuar zhdukjen e vendësve—C.W.] me sa më pak mizori…. Na duhet t’i sundojmë të zinjtë me anë të frikës…”.

Këto “ligje të pandryshueshme të evolucionit”, natyrisht që kanë qenë gjithmonë krejtësisht të trilluara. Tensionet e vazhduara sociale lidhur me çështjet e vendësve australianë është në pjesën më të madhe trashëgim i këtyre të këqijave në të kaluarën.

Kompromisi i kishës mbi krijimin

Shumë të krishterë të sinqertë australianë si dhe institucione të kishave, ndonëse nganjëherë janë treguar disi përbuzës, duket se janë përpjekur t’i mbrojnë vendësit nga forca e plotë e atyre mizorive të shumta të miratuara nga mendimi evolucionar. Sidoqoftë, ashtu si dhe sot, shumica e udhëheqësve dhe institucioneve të krishtera bënë kompromise të llojeve të ndryshme me këtë ‘shkencë’ të re darviniane.

Gati asnjë zë i krishterë bëri atë që duhej—pra të pohonte me guxim historinë e vërtetë të njeriut siç na jepet në Bibël. Racizmin darvinian do ta kishte hedhur poshtë theksimi që ne të gjithë e kemi prejardhjen vetëm disa mijëvjeçare deri në familjen e Noeut. Ky theksim do t’u kishte paraprirë zbulimeve të gjenetikës së sotme, që ne të gjithë jemi shumë afër njëri-tjetrit nga ana biologjike. Madje prej kësaj do të lindte një këndvështrim krejt i ndryshëm për statusin dhe kulturën vendees—për shembull, nuk do të na vinte për çudi që ata kishin që përpara shumë tregime të veta për Përmbytjen si dhe disa për kullën e Babelit. Çfarë pikënisje dramatikisht e ndryshme për ungjillizimin misionar—t’i ungjillizosh të afërmit dhe jo ‘primitivët’ inferiorë!

Sistemi i rremë i besimit tek evolucioni është përdorur qysh në fillim për t’i mjegullosur njerëzit sa u përket vlerave absolute morale të Shkrimit, qoftë për të justifikuar nazizmin, stalinizmin, holokaustin e abortit, indiferencën ndaj urisë në Afrikë, ose keqtrajtimin e vendësve kudo.

Fjala e Perëndisë ka thënë gjithmonë që ai “ka bërë nga një gjak i vetëm [d.m.th. nga një njeri, Adami] të gjitha racat e njerëzve” (Veprat 17:26, krah. 1 Kor. 15:45). Përgjigjja ndaj racizmit gjendet tek Zanafilla, e cila na thotë që të gjithë njerëzit janë të lidhur me gjak.

Krimet Zyrtare

Kemi faktuar më përpara1 tregtinë vrasëse të pjesëve të trupit të cilat u janë dërguar muzeve të hemisferës veriore, në bazë të mësimit të Darvinit që australianët vendës ishin ‘hallka munguese’ të gjalla. Masakrat e hershme kundër vendësve (të cilat gjithashtu u justifikuan shpeshherë nga idetë evolucionare të para Darvinit) sollën shpeshherë dënim të shpejtë nga pushteti. Por pas botimit të librit të Darvinit, këto tmerre të të gjitha llojeve u miratuan zyrtarisht shumë më shpesh sesa më përpara.

Dikush në 1880 i shkroi një gazete një letër nga zemërimi që kishte për keqtrajtimin e të afërmit, ku tha:

“Të shprehem qartë, ja se si merremi me vendësit: Kur zëmë ndonjë territor të ri, trajtojmë banorët vendës tamam ashtu siç do të trajtonim dhe kafshët e egra apo zogjtë që të ardhurit mund të gjejnë atje. Jetët dhe pronat e tyre, rrjetat, kanoet, dhe armët të cilat janë për ta produkte të punës së tyre po aq sa bagëtia dhe ndërtesat e kolonizuesit të bardhë, mbahen nga evropianët sikur të ishin krejt në disponim të tyre absolut. Atyre u merren mallrat, u vidhen me dhunë fëmijët, çohen tej femrat e tyre, tërësisht sipas tekës së burrave të bardhë. Nëse shfaqin qoftë dhe një pikë rezistence, qëllohen me çifte … [ata] të cilët donin argëtimin kanë vrarë, përdhunuar dhe grabitur të zinjtë pa asnjë pengesë. Jo vetëm që nuk janë përmbajtur, por madje Qeveria e kolonisë ka qenë gjithnjë gati t’i shpëtojë nga pasojat e krimit të tyre.”2

Referenca

  1. Darwin’s bodysnatchers: new horrors, Creation 14(2):16–18, 1992. Shih edhe tek D. Monaghan, The Body-Snatchers, The Bulletin, 12 Nëntor 1991, fq. 30–38.
  2. Librin që citohet në artikullin kryesor e redaktoi Sharman Stone, Heinemann Educational Books, Melbourne, 1974, fq. 93.

Artikuj të lidhur

Për lexim të mëtejshëm

Referenca

  1. Redaktoi Sharman Stone, Heinemann Educational Books, Melbourne, 1974. Kthehuni në tekst