Metamorfoza e pashpjegueshme e insekteve
nga Daniel Devine
Fotografi nga Stephen Atkins
Darvinistët të cilët dëshirojnë të parashtrojnë
një argument të fortë për evolucionin u shmangen rregullisht
temave të caktuara biologjike – kryesisht sepse këto tema hedhin
poshtë të gjitha shpjegimet gradualiste. Njëra është metoda
unike dhe e ndërlikuar nëpërmjet së cilës rriten insektet.
Metamorfoza (nga fjalët greke që do të thonë ‘ndryshimi
i formës’) përshkruan se si shumica e insekteve ndryshojnë
nga të vegjël në të rritur, duke zhvilluar shpeshherë në
pjekuri struktura trupore dhe mënyra jetimi krejt ndryshe nga ato të rinisë.
Ndërkohë që i vogli i një specieje të caktuar mund të
duket si krimb toke i zbukuruar, i rrituri mund të ketë pendë 5-cm-she
dhe të mos ketë nofull në funksionim. Le të shqyrtojmë
jetën e një mole.
Metamorfoza e molës
Në mënyrë që një vemje e vockël dhe e sapoçelur
të rritet në një molë ose flutur të shkëlqyeshme,
ajo duhet së pari të majmet – së tepërmi. Në
fakt, vemja duket sikur ka vetëm dy preokupime në jetë: të hajë
dhe të ndërrojë lëkurën.
Ndonëse gjitarët, peshqit, zogjtë dhe zvarranikët kanë
skelete që mbështesin trupat e tyre, artropodët – duke përfshirë
insektet – nuk i kanë. Në vend të skeleteve, Perëndia
i pajisi me një lëkurë ose guackë të fortë të
quajtur eksoskelet. Eksoskeleti i vemjes vërtet duket i butë, por i jep
vemjes tërë formën që ka (duke përfshirë disaherë
thumba ose brirë të mishtë). Mirëpo ai mbetet mjaft i epur sa
të lejojë shtrirjet gjimnastike drejt gjetheve më të larta.
Për më tepër, eksoskeleti nuk rritet; një eksoskelet më
i madh formohet i palosur nën më të voglin.
Kur të vijë koha e duhur, lëkura e vjetër dhe e tendosur çahet
dhe vemja del me kujdes duke u përpëlitur, gati për të vënë
në provë jashtësinë e saj të re. Pas çdo ndërrimi
të tillë, vemja mbetet më e madhe dhe mund të ketë trajtë
ose ngjyrë paksa të ndryshuar.1
Fotografi stock.xchng
Ndërkohë, thellë brenda trupit të vemjes janë grupe qelizash
– disqet e pjekurisë. Këto pozicionohen që të
rriten në pendë, këmbë të nyjëzuara, dhe sy të
përbërë. Pasi vemja të ketë lëshuar eksoskeletin për
herën e fundit që të arrijë në madhësinë maksimale,
ajo përgatitet të bëhet pupë duke thurur një nimfë,
duke bërë strofull nën tokë, ose në rastin e shumicës
së fluturave, duke formuar një krisalidë.
Ndërkohë që rri pa lëvizur, hormone nga truri i vemjes i bëjnë
sinjale trupit të zhvillohet në stadin e rritur.2 Këto bëjnë që disqet e pjekurisë
të hidhen në veprim, duke formuar antena, pendë me luspa, organe
riprodhuese dhe çdo pjesë tjetër të trupit që i duhet
të rriturit.
Madje edhe sistemi muskuloz duhet të riorganizohet për t’iu hapur
pendëve. Disa muskuj shkatërrohen, disa ‘rindërtohen’,
dhe të tjerë formohen krejt të rinj.3 Kur del mola ose flutura e rritur, nuk duket aspak
si vemja e përpëlitur që ishte dikur.
“E plota” kundrejt “jo të plotës”
Lloji i metamorfozës i përshkruar më lart, të cilin përjetojnë
insekte të tilla si molat, fluturat, bletët, mizat dhe milingonat, njihet
si metamorfozë ‘e plotë’ dhe përfshin katër stade:
veza (1), larva (2), pupa (3) dhe i rrituri (4). Në rastin e një mole,
vemja është larvë, krisalida është pupë, dhe krijesa
e ngjyrosur me pendë që mund të kapësh me rrjetë është
e rritura.
Megjithatë, një lloj i dytë metamorfoze përdoret nga insekte
të tilla si termitet, karkalecat, bulkthat, gjinkallat dhe morrat bimëngrënës.
Kjo përfshin ndryshimin nga veza (1) në nimfë (2) në të
rritur (3) – pra vetëm tri stade. Kjo metamorfozë ‘jo e plotë’
nuk e përfshin pupën. Nimfa duket thjesht si i rritur i vogël, dhe
sa herë që ndërron lëkurën ajo bëhet gjithnjë
e më e madhe, deri sa të arrijë formën e rritur me pendë
dhe organe riprodhuese plotësisht të zhvilluara.
Darvinistët përballen me probleme kolosale kur mundohen të shpjegojnë
origjinën e metamorfozës sipas mutacioneve të rastësishme dhe
seleksionimit natyror
Secili stad i jetës së insektit është jetësor. Darvinistët
përballen me probleme kolosale kur mundohen të shpjegojnë origjinën
e metamorfozës sipas mutacioneve të rastësishme dhe seleksionimit
natyror, sepse çdo boshllëk ose gabim në cikël zakonisht ose
e vret insektin ose pengon riprodhimin. Nëse vemja nuk del dot nga eksoskeleti
i saj i vjetër, ajo nuk është në gjendje të formojë
një fshikëz ose krisalidë, ose nëse nuk arrin të riradhisë
muskujt dhe të rrisë pjesë trupore si pupë, ajo ngordh. Nuk
bëhet kurrë e rritur, kështu që as që nuk e riprodhon veten.
Ndryshime spektakolare
Teoria evolucionare dështon edhe kur përpiqet të japë ndonjë
shpjegim të arsyeshëm për llojshmërinë e gjerë të
rritjeve të insekteve. T’i zëmë sasitë e kohës të
harxhuara nga specie të ndryshme për t’u zhvilluar. Nimfat e gjinkallave
bëjnë strofka nën tokë dhe kalojnë deri 17 vjet duke u
ushqyer me rrënjët e pemëve para se të dalin për të
ndërruar lëkurën që të kalojnë në stadin e të
rriturit. Disa larva mizash mund të kthehen në pupa një javë
pasi çelen, dhe disa morra bimëngrënës çelen, ndërrojnë
lëkurën, riprodhohen dhe ngordhin brenda pak më shumë se dhjetë
ditësh.4
Mizat e majit quhen gabimisht ‘insektet fluturuese më primitive’,
por ato nuk janë aspak primitive.
Larvat ujore të insekteve të tilla si mizat e majit dhe mushkonjat janë
veçanërisht të bezdisshme për evolucionistët. Mizat e
majit quhen gabimisht ‘insektet fluturuese më primitive’,5 por ato nuk janë aspak
primitive. Përkundrazi, ato jetojnë dy-tre vjet nën ujë duke
thithur ajrin me verza si peshqit, pastaj dalin në ajër si të rritura.
Atëherë jetojnë vetëm një ditë për t’u
mbledhur, për t’u ndërzier dhe për të shtruar vezë.
Edhe mushkonjat gjithashtu kalojnë stadet e tyre larvale dhe pupale nën
ujë, para se të dalin si të rritura duke fluturuar andej-këtej,
thithur gjak (të paktën kështu bëjnë mjaft femra), dhe
riprodhuar. Femra e një specieje mole ujore kalon tërë jetën
nën ujë, ndërkohë që mashkulli fluturon lirisht, dhe i
kthehet ujit vetëm për t’u ndërzier.6 Insektet ujore janë thjesht tepër të
llojllojshme për t’u parashikuar nga teoria evolucionare – kështu
që darvinistët detyrohen të pranojnë që jetesa ujore ‘është
zhvilluar nga specie krejt pa lidhje me njëra-tjetrën.’7
Metamorfoza sociale
Sikur e gjithë kjo të mos mjaftonte, nuk mund të harrojmë metamorfozën
e insekteve sociale si milingonat. Larvat e milingonave nuk kanë këmbë
dhe nuk janë në gjendje të gjejnë ushqim, të lëvizin
ose të pastrojnë veten. Ato varen krejt nga përkujdesja 24-orëshe
e milingonave të rritura punëtore, pa të cilat do të ngordhnin.
Madje milingonat e reja kanë nevojë për të rriturat punëtore
t’ua presin nimfat që të dalin në fund të stadit të
pupës.8
Nëse milingonat nuk kishin mu që në fillim një shoqëri
të ndërlikuar me marrëdhënie të ndërvarura, si mbijetonin
larvat ‘e lashta’ të milingonave? Bibla na tregon të vetmen
përgjigje të besueshme: Perëndia i krijoi që në fillim
që të jenë sociale, ashtu siç i krijoi vemjet të ngopen
duke ngrënë, nimfat e mizave të majit të notojnë, dhe molat
të fluturojnë dhe të riprodhohen. Karakteristikat e stadeve të
metamorfozës nuk evoluan rastësisht me kalimin e kohës. Që nga
veza e deri tek i rrituri, insektet jetojnë e realizojnë planet unike
për të cilat i projektoi Perëndia.
Stadet e fluturës Monark (Danaus plexippus)
Fotografi nga Bob Moul, <www.Pbase.com/rcm1840>.
- Vemja Monark (larvë), duke u ushqyer me gjethet e rryellit. Larva
çelet nga veza, dhe mbetet në këtë stad rreth dy javë,
ndonëse kjo varet nga temperatura.
- Pupa Monark (Krisalidë)
Atëherë vemjet i ngjiten kokëposhtë një degëze të
përshtatshme. Ato ndërrojnë lëkurën e jashtme dhe krijojnë
një guackë që të shndërrohen në pupë (krisalidë).
Këtu ndodh transformimi nga më të mahnitshmet, ku shumica e indeve
të vemjes shkrihen dhe riformohen si flutur – nën programin e saj
gjenetik. Në fillim duket si një vazo e dylltë prej nefriti.
- Pupa Monark disa çaste para se të dalë flutura.
Me ecjen përpara të metamorfozës, krisalida bëhet gjithnjë
e më e tejdukshme, kështu që shihen ngjyrat e fluturës. Menjëherë
pasi u nxor kjo fotografi, doli flutura.
- Monarku i sapodalë bashkë me guackën e krisalidës.
Pas 9-15 ditësh, më në fund del flutura. Ajo fryn pendët duke
u pompuar damarëve gjak nga një depozitë gjaku e ruajtur në
bark (në të majtë më poshtë). Flutura pret deri sa t’i
mpiksen e thahen pendët para se të ikë duke fluturuar për të
nisur sërish ciklin e jetës.
- Monarku femër e rritur
Damarë më të trashë dhe mungesa e nyjeve në damarët
e pendëve të larta të prapme dallojnë Monarkun femër nga
mashkulli.
A mund të shpjegojë evolucioni metamorfozën e plotë?
Në një numër të revistës Nature në vitin
1999, dy shkencëtarë (James Truman dhe Lynn Riddiford) paraqitën
hipotezën e tyre se si evoluoi metamorfoza e plotë e insekteve. Në
artikull autorët u përpoqën ta shpjegonin evolucionin e metamorfozës
katërstadëshe nga ajo trestadëshe duke propozuar që kjo e fundit
në fakt përmban katër stade.1 Këtë stad të
katërt, të përkufizuar në mënyrë arbitrare, e quajtën
‘pronimfë’ dhe e përshkruan si periudhë kohe e cila i
paraprin gjithmonë ndërrimit të parë të lëkurës,
dhe e cila ka zgjatje të ndryshme midis specieve të ndryshme, në
disa raste duke përfunduar sapo çelet insekti nga veza.2
Ata arsyetuan që kjo ‘pronimfë’ evoluoi në larvën
që njohim sot.
Ta themi më thjesht, ndonjë insekt i lashtë u çel nga veza
më shpejt se ç’duhej dhe filloi të endej qorrazi në
kërkim të ushqimeve. Ai vazhdoi të evoluonte deri sa të mund
të kalonte shumë javë në këtë formë të parakohshme
si vemje, para se të pësonte metamorfozë në stadin e shumëvonuar
të nimfës – i cili sipas autorëve ishte shkurtuar dhe kishte
evoluar në pupën që njohim sot.
Një problem fatal i kësaj ideje është fakti që ‘pronimfa’
e nënzhvilluar, siç përshkruhet në Nature, nuk ngrënka!
Do t’i duhej një aparat tretjeje plotësisht i formuar si dhe aftësia
për të kafshuar, përtypur dhe gëlltitur nëse kishte për
të mbijetuar dhe për t’u rritur në pjekuri. Truman dhe Riddiford
arsyetuan që ‘pronimfa’ kapërceu këto vështirësi
dhe evoluoi dalëngadalë deri sa të mund të hante, të lëvizte
dhe (supozojmë) ta mbronte veten. Mbrojtja është shumë e rëndësishme
në botën e ‘mbijetimit të më të aftëve’,
dhe na merret mendja të imagjinojmë se si ‘pronimfa’ e parë
e parakohshme ka qenë më e sigurt dhe më e favorizuar nga evolucioni
sesa një nimfë normale plotësisht e zhvilluar!
Një shpjegim më i mirë thotë që metamorfoza katërstadëshe
u krijua pavarësisht që të jetë plotësisht në funksionim.
Referenca
- Truman, J.W. and Riddiford, L.M., The origins of insect metamorphosis, Nature
401(6752):447–452, 30 shtator 1999.
- Ref. 1, fq. 448.
|
Referenca
- Goor, R. and N., Insect metamorphosis: from egg to adult,
Atheneum, New York, fq. 6–8, 1990. Kthehuni në tekst.
- Wigglesworth, V.B., Insect hormones, Scientific Publications
Department, Carolina Biological Supply Company, Oxford University Press, 1983. Kthehuni në tekst.
- Chapman, R.F., The insects: structure and function,
The English Universities Press Ltd, London, fq. 410–415, 1969.
Kthehuni në tekst.
- Farb, P., The insects, Life Nature Library, Time-Life
Books, New York, fq. 61, 1962. Kthehuni në tekst.
- Burnie, D. and Wilson, D., Animal, Smithsonian Institution,
Dorling Kindersley, New York, fq. 551, 2001. Kthehuni në tekst.
- Ref. 4, fq. 145. Kthehuni në tekst.
- Ref. 4, fq. 142.. Kthehuni në tekst.
- Doering, H. and McCormick, J.M., An ant is born,
Sterling Publishing Co., Inc., New York, fq. 7–16, 1973. Kthehuni
në tekst.
|