Explore
Also Available in:

Këta çojnë ungjillizimin e krijimit nëpër rrugë!

Wayne Olling dhe Marc Kay tregojnë përvojat e tyre

‘Toka e çuditshme’ është emri i një fotomontazhi që çohet në festivalet rrugore në Sidnei dhe periferitë e tij, nga dy besimtarë në krijimin në gjashtë ditë dhe një tokë të re. Fotomontazhi nuk ka turp të shfaqë hapur përmbajtjen e tij krijimbesuese. Montazhi i pazakontë tërheq mjaft interes.

Wayne Olling dhe Marc Kay drejtojnë shërbimin ungjillizues ‘Toka e çuditshme’. Wayne, i cili krijoi montazhin, shpjegon:

‘Mua më lindi një ndjenjë pengimi nga fakti që njerëzit treguan vetëm pak interes, në mos aspak, në veprimtaritë ungjillizuese të kishës si p.sh. qoshkat e librave, ngjyrosja e fytyrave të fëmijëve dhe dhuratat falas në vendtakimet publike. Ne kishim “Fjalët e Jetës” por nuk mundëm dot të hidhnim as hapin e parë për ta ndarë me publikun.’

Wayne
Wayne Olling

‘Më vonë pashë një shërbim krijimbesues të quajtur “Bereshith”1 i cili tërhiqte goxha interes në një “Festival Mendje, Trup, Shpirt” të mbajtur një herë në vit në një ndërtesë në Sidnei, kështu që pyeta veten, “Pse të mos çoj diçka të ngjashme në festivalet rrugore?”’

‘Shfletova numrat e mi të vjetër të revistës Creation, veçova rreth 60 figura që besoja se mund t’i përdorja, mora të drejtën e përdorimit nga autorët, i kopjova, ua shtova tituj, i plastifikova, bleva panele montimi, dhe ua ngjita figurat paneleve të montimit me shirit Velcro. Ka pesë panele, secili me temën e vet – formimet gjeologjike, fosilet, artikujt arkeologjikë, gabimet logjike të evolucionit, dhe dinozaurët – që të gjitha paraqesin argumentin për një “tokë të re” e cila u bë nëpërmjet krijimit special. Pasi printova broshura isha gati të gjeja se ku kryheshin festivalet.’

Wayne shpjegoi emrin ‘Toka e çuditshme’: ‘Në mendjen e shumë njerëzve ekziston një stereotip i cili thotë që besimi i krishterë është i shkëputur nga bota reale; pra është i mjegullt, joreal, pa lidhje me shkëmbinjtë dhe pemët – “gjërat reale”. Ky stereotip përbën pengesë ndaj angazhimit të shumë njerëzve me kishën dhe, çka është më me rëndësi, njohjes së Jezu Krishtit.’

‘Synoja të impenjoja mendjen e njerëzve për një botë ku jetojnë, që mund të shohin e prekin, dhe që ka një histori dhe një të ardhme në përputhje me ngjarje të përshkruara në Fjalën e Perëndisë. Doja të siguroja vëmendjen e njerëzve që të prezantoja pastaj Zotin.’
Wayne Olling and Marc Kay
Wayne Olling dhe Marc Kay

Wayne zgjodhi emrin ‘Toka e çuditshme’ sepse nuk ishte ‘kishtar’ dhe kishte të ngjarë të ngjallte interes. Ai vuri re që ky emër përputhet edhe me situatën aktuale ku jetojmë – një bollëk vëzhgimesh të cilat mbështesin argumentin për një botë të krijuar veçanërisht para vetëm disa mijëra vjetësh, edhe pse, çuditërisht, shumica e njerëzve kapen pas idesë evolucionare të origjinave që përfshin epoka të gjata.

Ata kanë parë një reagim të mrekullueshëm ndaj montazhit. Wayne shpjegon: ‘Thashë që po kërkoja një mënyrë për t’u marrë me publikun për gjërat e Perëndisë dhe e paskam gjetur!’

Wayne dhe Marc kanë katër vjet që marrin pjesë në festivale të cilat tërheqin nga 3,000 deri mbi 60,000 pjesëmarrës. Kanë hasur tallje nga disa njerëz të ngurtësuar të cilët marrin vesh shpejt që besojnë tek krijimi. Shumica e këtyre tallësve nuk rrinë aq sa të mbrojnë besimin e tyre. Wayne komentoi, ‘Besoj se kjo na tregon diçka për forcën e argumentit të tyre.’

Megjithatë, në gati të gjitha rastet, reagimi i atyre që ndalojnë për të parë montazhin është interes i sinqertë. Edhe nëse Wayne ose Marc nuk arrin të bisedojë me secilin, njerëzit mund të shikojnë figurat dhe titujt dhe të marrin një mesazh i cili bën shumë për të hedhur ‘…poshtë mendimet dhe çdo lartësi që ngrihet kundër njohjes së Perëndisë…’ (2 Korintasit 10:5). Pastaj ndihmon edhe disponimi i broshurave falas. Shumë njerëz kanë thënë: ‘Kjo na qenka mahnitëse!’ dhe duan më shumë informacion sesa ato që shfaqen. Wayne and Marc u tregojnë për faqe në internet, e sidomos creation.com.

Wayne vuri re, ‘Dikur kisha uri që njerëzit të më flisnin për Fjalën e Perëndisë. Tani shumë, shumë njerëz vijnë tek unë duke thënë si të thuash, “Çfarë keni për të na treguar?” Kjo është si mana nga qielli!’

‘Dialogu mund të jetë aq e zgjatur dhe e vështirë saqë kur njeriu largohet ndihem shumë i shterur aq sa më duhet një pushim i shkurtër para se të merrem me tjetrin e radhës. Në festivalet e mëdha disa herë kthehem në shtëpi i lodhur dhe me zë të çjerrë. Megjithatë, ngritja e shpirtit tim dhe shtytja për lutje drejtuar Zotit janë shumë më të rëndësishme sesa vështirësitë fizike.’

‘Një vegël për kohën tonë’

Jo të gjithë janë gati të pranojnë ato çka thonë Wayne dhe Marc, dhe këta nuk duan ta kërkojnë Perëndinë. Njerëzit kanë disa probleme të cilat duhen përballuar para se të bëhen gati ta pranojnë Zotin. Wayne thotë, ‘Vetëm Zoti sjell jetë; duhet të njohim faktin që merremi me punën e mbjelljes së farave, dhe duhet të mbjellim në tokë të gjerë. Madje ka dhe punë të mëparshme për përgatitjen e tokës, gjë që besoj se është punë e Zotit, por ai mund të na përdorë për të hequr pengesa të tilla si pikëpamjet evolucionare ose besimi tek epoka të gjata të cilat ndalojnë farën të bjerë në tokë pjellore.’

Wayne ard the stand

Nëse nuk bën asgjë tjetër, ‘Toka e çuditshme’ i paraqet një sfidë pikëpamjes së një personi për origjinat, dhe ai person shpeshherë është gati të merret me dialog të mëtejshëm. Atëherë lind potenciali për të zhbiruar për të gjetur se ç’lloj pengese ndalon atë person të pyesë më shumë për Zotin.

Wayne: ‘Them që ky lloj Ungjillizimi për Krijimin është sigurisht një vegël për kohën tonë. Në festivale ka qoshka kishash, por shumë kisha sot janë kaq të zmbrapsura saqë strategjia është varfëruar në një ose më shumë veprimtari – p.sh. ngjyrosja falas e fytyrave të fëmijëve; ujë, çaj ose kafe falas; ose kartolina me figura të ndërtesës së kishës me gjithë listën e shërbimeve që ajo disponon. Madje disa kisha kanë vullnetarë të cilët qëndrojnë në ‘rrymën’ e kalimtarëve duke shtyrë në duart e tyre broshura të cilat reklamojnë ngjarjet e kishës që po afrohen. Motivimi për të kontaktuar njerëzit është i drejtë, por strategjia nuk është ajo e Zotit tonë Jezus e as e apostullit Pal – ata angazhuan mendjet e njerëzve mu atje ku ndodheshin (p.sh. Veprat 17:16-34). Ungjillizimi i krijimit na paraqet pikërisht një mundësi të tillë.’

Natyrisht, Marc bie dakord me Wayne për vlerën e kësaj metode ungjillizimi: ‘Po të mos bija dakord nuk do të kushtoja fundjavët e mia kështu. Para disa vitesh mbarova diplomën në Universitetin e Sidneit dhe në Universitetin e New South Wales. Gjatë atyre pesë viteve nuk pashë qoftë edhe një grup të krishterë të mbante një leksion për krijimin gjatë orës së drekës, apo të ngrinte një qoshk që të merrej me debatin evolucion/krijim, apo të merrej me njerëzit duke u nisur nga botëkuptimi i tyre – nëse jeta dhe gjithçka është produkt i kimisë së rastësishme ose i një Personi i cili projektoi gjithçka shpejt dhe në fillim në mënyrë të përsosur.

‘Mirëpo pashë një pastor të njohur të debatonte me një filozof ateist akademik, dhe t’i thoshte me krenari një auditori të madh, “Nuk kam probleme me shpërthimet e mëdha e kështu!” dhe pastaj t’i gjykonte njerëzit menjëherë duke u mbështetur tek Gjoni 3:36.2 Më pas, njerëzit nuk prisnin në radhë për t’u pagëzuar.’

Marc beson se shumë të krishterë kanë një problem për sa i përket komunikimit: ‘Një nga anët më zhgënjyese të jetës që kisha në universitet ishte gjuha e përdorur nga të krishterët për të ftuar njerëzit në grupet e tyre. Ajo kontrastohet mprehtë me metodën e Jezusit – ai foli për dasmat e të tjera. Për të ishte shkak festimi dhe një zbulimi i vërtetë që diçka e madhe do të zbulohej, me margaritarë dhe bankete etj. Jezusi u bëri apel të gjithëve pa dallim duke përdorur fjalë që kishin kuptim për ta. Në universitet, nëse kalon gjuhën ekskluziviste që vetëm i krishteri mund ta kuptojë, nuk ka asgjë që të të josh, që të të tërheqë në mënyrë që të duash të dëgjosh diçka që mund të shpjegojë vërtet këtë botë. Ajo që paraqitet sot shpeshherë është tepër e shtirur dhe e përciptë.’

Wayne ard the stand

‘Toka e çuditshme’ fillon tek një pikë që ne të gjithë e kemi të përbashkët. Marc shpjegon: ‘A mund të ketë pikënisje me të mirë sesa të prezantojmë diçka që ne të gjithë e kemi të përbashkët, pra historinë e tokës? Nuk ka shumë njerëz të cilët nuk çajnë kokën fare për pemët ose shkëmbinjtë ose kafshët, etj. Kur ngrejmë montazhin tonë midis qoshkave të zakonshme në një panair, të cilat shesin karamele ose punime lëkure, etj., një qoshk ky i cili ka figura për anomali në fosilet, ngurtësimin, formimet gjeologjike ose artikuj arkeologjikë, njerëzit merren me ne. Kemi patur disa bisedime masive me njerëzit dhe i kemi shtyrë të fillojnë të mendojnë se mbase toka s’është produkt i forcave të verbra evolucionare ose gjithçka nuk u bë gjatë epokave të gjata.’

Edhe kjo rezulton në shumë raste për të treguar Lajmin e Mirë. Marc: ‘Nuk u duhet shumë kohë shumicës së njerëzve të marrin vesh që nuk jemi këtu thjesht për të folur për shkëmbinjtë e të tjera por për Personin pas shkëmbit, si ta thuash. Kemi parë disa anëtarë të fesë ‘Scientology’ të cilët kishin një qoshk bashkangjitur me tonin, të cilët “e kapën” me një çast dhe, për ironi, na pyetën menjëherë, më shpejt sesa shumë të krishterë, “Ku qëndron rëndësia?” Kur këta të dy morën vesh që një univers i krijuar shpejt pa gabime nënkupton një Perëndi i cili na donte dhe nuk donte që ne të vuanim, pashë një si dritë që u hap në sytë e tyre!’

Në një rast tjetër Marc bisedoi me një marksist shumë të fortë – Marc nuk i kishte përmendur asgjë ‘fetare’ por fliste vetëm për shkencën. Ky i tha Marc, ‘Nuk kam takuar kurrë një të krishterë i cili flet kështu.’ Ai kuptoi shpejt lidhjen midis krijimit kohëshkurtër pa gabime dhe faktit që Krishti është Krijuesi në fjalë.

Wayne dhe Marc kanë dëshirë që të tjerët të marrin përsipër këtë lloj shërbimi në shesh. Kush do këshilla se si t’ia nisë mund të kontaktojë Wayne dhe Marc nëpërmjet CMI.

Faleminderit Wayne dhe Marc. Zoti bekoftë dëshminë tuaj në emër të tij.

Shënime

  1. Fjalë hebraisht që do të thotë ‘Në fillim’ (Zanafilla 1:1). Kthehuni në tekst
  2. Gjoni 3:36 thotë: Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të. Kthehuni në tekst