Explore
Also Available in:

Ringjallja dhe Zanafilla

nga Lita Sanders
përktheu Dan Baynes

Photo wikipedia.comEmpty tomb

Të Pashkëve, të krishterët nëpër botë festojnë Ringjalljen e “të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht” (Titi 2:13), në festën më të rëndësishme të kalendarit të krishterë. Doktrina e Ringjalljes së Krishtit është një nga doktrinat më të rëndësishme të krishterimit; pa Ringjalljen, nuk kemi shpresë shpëtimi nga mëkatet tona (1 Korintasit 15:12–18).

Kultura pagane e shek. I nuk pranonte ringjalljen qoftë edhe si mundësi, dhe jobesimtarët sot janë po aq mospërfillës ndaj kësaj ideje, madje edhe duke nxjerrë teori qesharake që thonë se Jezusi nuk ishte vërtet i vdekur kur shkoi tek varri, që të shpjegohet shfaqja e tij tre ditë më vonë. Ose pretendojnë që shfaqja e tij paska qenë shpirtërore; që ajo mbase ka qenë halucinacion ose vizion, por sigurisht jo një shfaqje fizike.

Mirëpo njerëzit e lashtësisë kishin fjalë për të përshkruar frymërat dhe fantazmat, dhe në fakt kjo do t’u kishte pëlqyer shumë më mirë njerëzve të kulturës greko-romake. Por kur thonë që Jezusi u ringjall, ata duan të thonë pikërisht që ai u ringjall në një trup fizik.

Ringjallja e Jezusit si Ngjarje Historike

Kur ne e quajmë ringjalljen e Jezusit një ngjarje historike, duhet të përkufizojmë fjalën ‘historike’, sepse studiuesit jobesimtarë përdorin përkufizime të ndryshme të kësaj fjale që ta vlerësojnë si johistorike ringjalljen e Krishtit. Kështu që duhet të shqyrtojmë përdorimet e ndryshme të fjalës për të përcaktuar se ç’kuptime kemi ndërmend kur flasim për ringjalljen e Krishtit si ngjarje historike.1

Përkufizimi më i thjeshtë i “ngjarjes historike” është thjesht diçka që ndodhi, pavarësisht nëse është e rëndësishme apo jo për sa i përket historisë së botës, dhe pavarësisht nëse ka ndonjë regjistrim ose madje dëshmitar për të. Kështu, sipas këtij përkufizimi, çdo gjë që ndodh është historike. Prandaj dhe ringjallja e Jezusit është historike sipas këtij kuptimi. N T Wright, studiuesi i Dhiatës së Re, këtë përkufizim e quan “histori si ngjarje”.1 Një përkufizim tjetër është “histori si ngjarje domethënëse”; gati të gjithë që besojnë që Ringjallja e Krishtit është historike sipas kuptimit të parë do të arsyetonin që ajo është e tillë edhe sipas kuptimit të dytë.

Ajo që debatohet zakonisht është çështja nëse Ringjallja e Jezusit është historike sipas kuptimit të një ngjarjeje të vërtetueshme. Skeptikët për tregimet e Ringjalljes arsyetojnë disaherë që kemi vetëm tregimet e Ungjijve të cilët janë shkruar dhjetra vite më vonë, e madje as këta nuk na paraqesin tamam momentin e Ringjalljes. Këta arsyetojnë që gjatë dekadave që kaluan, mitologjia triumfoi dhe njerëzit shpjeguan mungesën e trupit të Jezusit me një tregim për Ringjalljen. Mirëpo kjo pikëpamje ka disa të meta.

Dëshmitë më të hershme

Së pari, tregimet e Ungjijve nuk janë të vetmet dëshmi e as të parat që kemi për shkrimet e krishtera për Ringjalljen. Këtë nder e mban letra 1 Thesalonikasit; një nga letrat më të hershme të Palit, e cila do të shqyrtohet më poshtë, e cila u shkrua afër vitit 50 e.s.2 Kështu që kemi dëshmi që rreth dy dekada pas vdekjes së Krishtit, ekzistonte një grup njerëzit të cilët insistonin që ai u ringjall së vdekurish, dhe të cilët kishin ndërtuar një pjesë të konsiderueshme të teologjisë së tyre rreth këtij fakti, gjë kjo që nuk ndodh në një ditë. Sidoqoftë, tregimet e Ungjijve, ndonëse janë shkruar disa dekada pas ngjarjeve që përshkruajnë (c. 30–33 e.s.), na drejtojnë mbrapa tek tradita e hershme gojore, e cila duket të jetë mjaft e panjollosur nga ‘teologjizimi’ nga ana e autorëve.

Tregimet e Ungjijve

Tregimet e Ungjijve në katër Ungjijtë kanonikë (të shkruar gjatë viteve 55 deri 853 e.s.) kritikohen shpeshherë se bien ndesh me njëri-tjetrin, por shumë nga kontradiktat e supozuara nuk janë më tepër nga ç’do të prisnim nga cilatdo katër tregime të ndryshme të një ngjarjeje të shkruara katër dekada pas ngjarjes. Ato përfshijnë gjëra të tilla si ajo se cilat gra pikërisht përbënin grupin që shkoi tek varri, nëse ka qenë një engjëll ose dy, e kështu me radhë. Shumica prej këtyre as që s’janë kontradiktore, dhe kritikët me sa duket nuk e kuptojnë logjikën, ngaqë nuk përjashtojnë njëri-tjetrin; për shembull, njëri tregim ndoshta përmend vetëm atë engjëllin i cili foli, ndërsa tjetri përmendi të dy engjëjt. Kontradiktë do të ishte vetëm nëse njëri tregim përcaktoi se kishte vetëm një engjëll.

Ka kuptim që njerëzit të cilët shkruan tregimet mund të kujtonin hollësira të ndryshme, madje edhe disa që duket sikur bien ndesh me njëra-tjetrën, kur rrëfejnë ngjarjen sërish. Nuk ka kuptim të thuash që, meqë autorët përfshijnë gra të ndryshme në grupin që shkoi tek varri, duket qartë që Ringjallja nuk ka ndodhur, dhe e njëjta logjikë vlen edhe për të gjitha të ashtuquajturat kontradikta.4

Kisha e hershme

Një nga evidencat më të forta për karakterin historik të Ringjalljes është disi e tërthortë, sepse arsyeton që ajo na nevojitet që të shpjegojmë një sërë ngjarjes historike, të cilat nuk nuk kanë kurrfarë kuptim nëse Ringjallja në fakt nuk ka ndodhur. Së pari, dishepujt e Jezusit kaluan nga trembja në një dhomë të katit të lartë (Pjetri me sa duket tashmë i ishte rikthyer peshkimit), nga frika për jetën e vet, drejt shpalljes nëpër rrugë pak më shumë se një muaj më vonë, që Jezusi ishte Mesia e Hebrenjve dhe ishte ringjallur nga të vdekurit. Dhjetë nga apostujt u martirizuan në mënyra të ndryshme; vetëm Gjoni vdiq në pleqëri, dhe të krishterët pësuan shumë periudha të ndryshme përndjekjesh, si në planin lokal ashtu dhe në atë shtetërore. Mund të arsyetohet që shumë të krishterë ishin të mashtruar, por është e pabesueshme të thuash që apostujt do të vdisnin për atë që e dinin se ishte gënjeshtër.5

Pretendimi i tyre që ai ishte ringjallur ishte pak a shumë mënyra më pak e ngjashme që një hebre e shek. I do të shpjegonte një varr bosh. Hebrenjtë e shek. I kishin besime të llojllojshme për jetën e pastajme, që nga Saducenjtë të cilët nuk besonin farë tek Ringjallja, deri Farisenjtë të cilët besonin tek Ringjallja (mirëpo edhe midis tyre ka patur shumë opinione për atë nëse të padrejtët do të ringjalleshin). Por asnjë lloj judaizmi nuk besonte që një njeri do të ringjallej para gjithë të tjerëve; kjo ka të ngjarë të jetë arsyeja përse dishepujt nuk kishin asnjë ide se për çfarë po fliste Jezusi kur ai parashikoi vdekjen dhe ringjalljen e vet; besimi që ringjallja ishte diçka që do të ndodhte njëherësh në fund të kohës, qoftë për të gjithë ose vetëm për të drejtët, bëri fjalët e tij të pakuptueshme për ta deri sa ta shihnin Ringjalljen në realitet.

Nënkuptimet e Ringjalljes së Krishtit për ndjekësit e tij

Ka evidenca që, gati qysh në fillim të lëvizjes së krishterë, ringjallja e Krishtit përdorej për të shpjeguar se ç’do të përjetonin besimtarët e tij në Ringjallje. Në fakt, një nga gjërat që dallojnë tregimet e Ungjijve si të lidhura me një traditë gojore shumë të hershme, e cila nuk u trazua nga autorët e Ungjijve, është mungesa e dallueshme e këtyre nënkuptimeve nga ringjallja e Krishtit në tonën.6 Tek 1 Thesalonikasit 1:10, Pali quan Jezusin “Birin e [Perëndisë], të cilin ai e ngjalli prej së vdekurish”. Ai nuk i rikthehet temës së ringjalles deri afër fundit të letrës tek 4:13–18, por ai pasazh i shkurtër është shumë i rëndësishëm për zbulimin e besimit të hershëm të krishterë tek Ringjallja, sepse është shembull më i hershëm i teologjisë së Ringjalljes: “po të besojmë se Jezusi vdiq dhe u ringjall, besojmë gjithashtu që Perëndia do të sjellë me të, me anë të Jezusit, ata që kanë fjetur.” Kështu Ringjallja e Jezusit bëhet baza e ringjalljes së të krishterit kur të kthehet Ai. Tek Filipianët 3:20–21, gjejmë deklaratën e shprehur që trupat tanë të ringjalljes do të jenë tamam si të Jezusit.

Krishti si Fryti i Parë i Ringjalljes dhe Adami i Fundit

Zhvillimet më të rëndësishme të teologjisë së Palit për sa i përket ringjalljes së besimtarëve janë deklaratat e tij tek 1 Korintasit 15 and Romakët 5:12–21 (shkruar në vitet 53–547 e.s. dhe 57–58 e.s.8 përkatësisht). Në të parën gjejmë për herën e parë arsyen pse të krishterët mund të presin të ringjallen për shkak të ringjalljes së Jezusit; ai është “fryti i parë” i Ringjalljes, një garanci që ata që ndodhen nën të do të ringjallen gjithashtu kur të kthehet (1 Korintasit 15:23).

Pali dalloi qartë midis mëkatit të njeriut të parë, Adamit, kundrejt Adamit të Fundit, Krishtit. Mëkati i Adamit na bën të gjithë mëkatarë nga natyra, por flijimi i Jezusit bëri të mundur që mëkati ynë t’i llogaritet atij (Isaia 53:6), dhe jeta e tij e përsosur bëri të mundur që drejtësia e tij t’u llogaritet atyre që besojnë tek ai (2 Korintasit 5:21). Kjo është e vështirë që perëndimorët e sotëm ta kuptojnë, sepse kultura perëndimore është tepër individualiste. Por në kohën e Dhiatës së Re, si dhe në fakt në shumicën e kulturave sot, mendohej në mënyrë kolektive, kështu që kjo do të kuptohej kollaj. D.m.th., veprimet e një personi prekën të gjithë në mënyrë të pashmangshme; sidomos veprimet e kreut të një grupi të caktuar. Madje në qoftë se dënimi korporativ është ‘i padrejtë’, cilido qoftë kuptimi i kësaj në një kuadër ateist, atëherë kështu është edhe shpengimi korporativ.

Në thelb, Pali parashtron argumentin që ka dy ‘krye’ përfundimtarë të dy llojeve njerëzish; Adami dhe Krishti.9 Të gjithë njerëzit ndodhen nën njërin prej këtyre, dhe veprimi i ‘kreut’ të individit përcakton statusin e vet përpara Perëndisë:

“Pali po ngul këmbë që njerëzit ‘u bënë’ vërtet mëkatarë nëpërmjet veprimit të mosbindjes së Adamit ashtu siç ‘u shpallën të drejtë” vërtet nëpërmjet bindjes së Krishtit…. Të jesh i drejtë nuk do të thotë të jesh i moralshëm, por të cilësohesh i pafajshëm, të të hiqen të gjitha paditë, në gjyqin qiellor. Me anë të veprimit të bindur të Krishtit, njerëzit u bënë vërtet të drejtë; por vetë ‘drejtësia’ është fjalë drejtësie dhe jo morali në këtë kontekst.”10

Adami ishte fryti i parë i vdekjes, si ta thuash; dënimi i parë me vdekje në histori (Zanafilla 3:19) tregoi që të gjithë ata që ndodheshin nën të do të vdisnin poashtu. Pali quan Jezusin ‘Adamin e Fundit’, sepse lidhja e njerëzimit me Adamin është e vetmja që i ngjan sadopak lidhjes së të krishterëve me Krishtin. E megjithatë, shumicën e kohës Pali flet për ta sa për t’i kontrastuar; e vetmja ngjashmëri midis tyre që ai nxjerr në pah ndonjëherë është fakti që të dy ishin krye njerëzimi, veprimet e të cilëve patën pasoja afatgjata për ata që ndodheshin nën tyre.11 Kjo ngjashmëri është themeli për kontrastet që ai vazhdon t’i nënvizojë.12

Ka disa pika të rëndësishme kontrasti që i shfaq Pali në këto dy pasazhe kyç:

  1. Efektet e mëkatit të Adamit janë universale; bindja dhe flijimi i Krishtit vlejnë vetëm për ata që besojnë (d.m.th. ‘ata që marrin’—Romakët 5:17).
  2. Vetë veprimi i Krishtit është pafundësisht më i mirë sesa veprimi i Adamit, siç janë edhe rezultatet e veprimit. Mosbindja e Adamit ndodhi kur njerëzit ishin ‘neutralë’ moralisht dhe ajo i bëri të këqij moralisht, duke rezultuar si në vdekjen fizike ashtu dhe në largimin shpirtëror nga Perëndia të çdo pasardhësi të tij. Nga ana tjetër, jeta e Krishtit e bindjes dhe flijimit joegoist, ndodhi kur ishim të këqij moralisht dhe na bën ‘të mirë’ moralisht (Romakët 5:16).
  3. Vetë Krishti është pafundësisht më i mirë se Adami, madje edhe para rënies së tij, sepse, ndërsa Adami mori jetë si dhuratë nga Perëndia, Krishti ka fuqi dhe pushtet për të realizuar njerëzimin e Tij të ri (1 Korintasit 15:45).13

Njeriu i parë, Adami: një personalitet historik

Ky krahasim midis Adamit dhe Krishtit është krejt i domosdoshëm për argumentin e Palit, si dhe për teologjinë e tij të Ringjalljes në përgjithësi. Kjo kërkon që si Adami ashtu edhe Krishti të jenë personalitete historike të cilët që të dy kanë njëfarë kryesi mbi njerëzimin që ndodhet nën ta, dhe veprimet e të cilëve kishin pasoja të përhapura për vartësit e tyre.

Në mënyrë më specifike, kjo kërkon që Adami të jetë paraardhësi faktik i të gjithë njerëzve, mëkati i të cilit shkaktoi vërtet hyrjen e vdekjes dhe tjetërsimin e njerëzimit nga Perëndia, ashtu si Krishti është njeri historik, për të cilin jeta e bindjes ndaj Perëndisë dhe vdekja flijuese na pajtojnë me Perëndinë dhe paguajnë borxhin e mëkatit në një mënyrë që s’mund ta bënte asnjë njeri tjetër.

Disa arsyetojnë që nuk ka nevojë që Adami të ketë qenë historik. Këtë pikëpamje e tipizon C.K. Barrett:

“Mëkati dhe vdekja, të zbuluara mbrapa nga Pali deri tek Adami, janë përshkrim i njerëzimit ashtu siç është empirikisht. Për këtë arsye, nuk ka rëndësi historiciteti i Adamit. Është e pamundur të nxjerrësh përfundimin paralel që historiciteti i Krishtit është po aq i parëndësishëm. Domethënia e Krishtit është ajo se ndërhyn në një sekuencë historike mëkati dhe vdekjeje. Mëkati dhe vdekja (ta ndryshoj metaforën) zotërojnë fushën, dhe nëse kanë për t’u dëbuar prej saj ndonjëherë, kjo duhet të bëhet nëpërmjet ardhjes në skenë të forcave të reja të cilat kthejnë përmbys peshoren e betejës, d.m.th., nëpërmjet një ngjarjeje të re. Siç e dinte Pali, kjo ngjarje kishte ndodhur shumë kohët e fundit, dhe natyra e saj si ngjarje historike nuk i lindi ndërmend asnjë dyshim apo problem. Kjo vërejtje nuk synon të jetë mbrojtje e tregimeve të ungjijve si dokumente historike; ato i janë shtruar plotësisht pikëpyetjes dhe duhet të mbrojnë terrenin e vet. Por meqë personaliteti i ‘Adamit të Fundit’ ose ‘njeriut Qiellor’ është mitologjik, ky mit është historicizuar nga Pali, jo vetëm ngaqë ai ishte në dijeni për Jezusin si person historik, por edhe ngaqë argumentit teologjik i duhej një person historik.”14

Megjithatë, argumenti i tij dështon sepse kërkon që mëkatshmëria dhe vdekshmëria të jetë gjendja fillestare e njerëzimit. Por pika kritike është fakti që mëkati dhe vdekja vetë u ndërfutën në historinë njerëzore kur Adami shkeli porosinë e Perëndisë. Kjo është arsyeja pse bindja dhe vdekja flijuese e Krishtit nevojiteshin për të përmbytur sundimin e mëkatit dhe vdekjes.15 Në qoftë se Jezusit i duhet të jetë historik, poashtu edhe Adami. Historiciteti i personit të Jezusit dhe i flijimit të tij do të thotë që do të jemi të liruar nga mëkati dhe vdekja në Ringjallje. Por pa historicitetin e Adamit, nuk e dimë përse bota sundohej në fillim nga mëkati dhe vdekja. Po qe se vdekja kishte qenë gjithmonë pjesë e rendit të krijuar, pjesë e asaj që Perëndia e quan “shumë të mirë”, atëherë nuk ka kurrfarë mënyre se si vdekja të quhej ‘armiku i fundit’. Madje edhe Barratt detyrohet të pranojë që Pali trajton Adamin si historik.16

Përfundim: pa Adamin dhe Rënien historike, Ungjilli lëkundet pa rrënjë

Ashtu si CMI ka shpjeguar më përpara, është e mundur të jesh i krishterë ndonëse nuk beson që kapitujt e parë të Zanafillës na rrëfejnë ngjarje historike. Sidoqoftë, kjo lë të këtillë të krishterë me pak themel për t’u qëndruar sulmeve dhe talljeve të skeptikëve, ateistëve, udhëheqësve fetarë mosbesues, studentëve të tjerë, ose shokëve pune, etj. Kjo sepse këta pak kapituj vendosin kuadrin për gjithçka që vjen më pas, si në Dhiatën e Vjetër ashtu dhe në të Re. Zanafilla është themeli i Ungjillit; pa këtë ngelemi pa asnjë shpjegim për origjinën e gjithçkaje që Krishti erdhi për të rimëkëmbur (shih edhe tek Krijimi biblik e pengoka ungjillizimin?). Kur festojmë Pashkët, festojmë agimin e asaj që mund të quhet tamam një ‘njerëzim i ri’ nën Krishtin, por në qoftë se mëkatshmëria jonë nuk vjen nga kreu ynë i mëkatshëm i njerëzimit, Adami i parë, atëherë nuk mund të shpallemi të drejtë nën një krye të ri të njerëzimit, Adami i Fundit, Jezu Krishti. Siç e mori vesh Pali, nga ana logjike këta të dy ose qëndrojnë ose bien poshtë sëbashku.

Reagimi ndaj këtij artikulli

Artikuj të lidhur

Lexime të mëtejshme

Referime

  1. Shih tek N.T. Wright, The Resurrection of the Son of God (Minneapolis: Fortress Press, 2003) për një diskutim të hollësishëm të historicitetit, sidomos fq. 12–22. Kthehuni në tekst.
  2. F.F. Bruce 1 & 2 Thessalonians. Word Biblical Commentary (Grand Rapids: Eerdmans, 1982), f. xxi. Kthehuni në tekst.
  3. Shih tek Robert Guelich, Mark 1–8:26. Word Biblical Commentary (Nashville: Thomas Nelson, 1989), f. xxxii dhe D.A. Carson, The Gospel According to John. The Pillar New Testament Commentary (Grand Rapids: Eerdmans, 1991), f. 86. Kthehuni në tekst.
  4. Shih tek J.P. Holding, “Can’t We All Just Get Along?” Tekton Apologetics Ministries. Kthehuni në tekst.
  5. Shih tek J.P. Holding, “The Impossible Faith” Tekton Apologetics Ministries. Kthehuni në tekst.
  6. N.T. Wright, Surprised by Hope: Rethinking Heaven, the Resurrection, and the Mission of the Church. (New York: HarperOne, 2008), f. 56. Kthehuni në tekst.
  7. Ben Witherington III, Conflict and Community in Corinth: A Socio-Rhetorical Commentary on 1 and 2 Corinthians. (Grand Rapids: Eerdmans, 1995), f. 73. Kthehuni në tekst.
  8. Grant Osborne: Romans. IVP New Testament Commentary Series (Downers Grove: Intervarsity Press, 2004), f. 14. Kthehuni në tekst.
  9. L. Cosner, Romans 5:12–21: Paul’s view of a literal Adam, Journal of Creation 22(2):105–107, 2008. Kthehuni në tekst.
  10. Douglas Moo, The Epistle to the Romans: New International Commentary on the New Testament, (Grand Rapids: Eerdmans, 1996), f. 345. Kthehuni në tekst.
  11. Ben Witherington III, Paul’s Letter to the Romans: A Socio-Rhetorical Commentary (Grand Rapids: Eerdmans, 2004), f. 146–147. Kthehuni në tekst.
  12. John Murray, The Epistle to the Romans: The English Text with Introduction, Exposition, and Notes (Grand Rapids: Eerdmans, 1965), vol 1, f. 192. Kthehuni në tekst.
  13. Anthony Thiselton, The First Epistle to the Corinthians: A Commentary on the Greek Text. TNIGTC (Grand Rapids: Eerdmans, 2000), 1283. Kthehuni në tekst.
  14. C.K. Barrett, The First Epistle to the Corinthians. Black’s New Testament Commentary (Peabody: Hendrickson Publishers, 1968), f. 353 Kthehuni në tekst.
  15. Gordon Fee, The First Epistle to the Corinthians. NICNT (Grand Rapids: Eerdmans, 1987), f. 752. Kthehuni në tekst.
  16. Barrett Ref. 14, f. 352. Kthehuni në tekst.

Helpful Resources

Creation, Fall, Restoration
by Andrew S Kulikovsky
US $11.00
Soft cover
Foolish Faith
by Judah Etinger
US $5.00
Soft cover